Legjendarja jugosllave Yugo po rikthehet sërish në treg, pothuajse dy dekada pas ndërprerjes së prodhimit. Pas prezantimit të dizajnit të ri në Gjermani vitin e kaluar, pronari aktual i markës, biznesmeni dhe profesori universitar serb Aleksandar Bjelić, zbuloi detaje të reja në konferencën automobilistike “SEE Automotive” në Beograd.
Sipas informacioneve të disponueshme, Yugo-ja e re do të pozicionohet si një automobil i përballueshëm me sistem hibrid. Çmimi i saj pritet të jetë rreth 12.000 euro, duke e bërë potencialisht një nga veturat e reja më të lira në tregun evropian.
Automjeti do të përdorë teknologji hibride me autonomi të zgjeruar, ku motori me djegie të brendshme do të shërbejë si gjenerator për prodhimin e energjisë elektrike. Në këtë mënyrë, vetura nuk do të varet nga stacionet e karikimit dhe nuk do të ketë nevojë për kabllo të jashtme. Në kushte ideale, konsumi mund të jetë vetëm 2,2 litra për 100 kilometra.
Pamja mbetet e pandryshuar në krahasim me konceptin e prezantuar në Mynih, ndërsa dizajni është realizuar nga Darko Marčeta nga Zrenjanini.
Planet parashikojnë që prototipi i ri të prezantohet për herë të parë publikisht në Expo 2027 në Beograd. Për momentin nuk dihet se ku do të zhvillohet prodhimi, pasi ish-fabrika Zastava në Kragujevc sot është në pronësi të kompanisë Stellantis.

