Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës ALBIZ dje më 13 shkurt 2018, në sallën e Operës dhe Baletit Maqedonas, e organizoi manifestimin qendror ku i prezantoi rezultatet nga aktivitetet e realizuara për vitin 2017 dhe e promovoi gjeneratën e shtatë të bursistëve për vitin shkollor/akademik 2017/2018 , njofton derveni.info.
“Ngjitja e bursistëve në skenë ndoshta është akt simbolik por shumë domethënës, i cili duhet të shërbejë si krenari dhe mburrje për të gjithë ata që kontribuojnë në këtë program pasi që kanë bërë investimin më të vyer dhe më të dobishëm për shoqërinë”, tha në fjalën e tij Ilir Idrizi, drejtor ekzekutiv i Fondacionit, i cili ju falënderua kompanive donatore për mbështetjen pa rezervë që ata i japin fondacionit.
Fondacioni ALBIZ gjatët vitit 2017 ka realizuar 20 projekte në kuadër të platformës edukativo-arsimore, kulturore-sportive, socio-humanitare, zhvillimore dhe infrastrukturë me vlerë të përgjithshme prej 37.180.747denarë.
Mevludin Ibish, anëtar i Këshillit drejtues të Fondacionit Albiz, duke iu drejtuar të pranishmëve tha se “filozofia e Fondacionit Albiz mbi konceptin e filantropisë bazohet ne interpretimin e pavarur, ku dhe bëjmëdallimin thelbësor mbi dy nocione si bamirësia dhe përgjegjësia sociale korporative. Në fakt, për ne si Fondacion, bamirësia i eliminon ose zbut nevojat e individëve dhe familjeve të shkaktuara nga problemet sociale, kurse filantropia është koncept qëparandalon, në esencëi zgjidh problemet sociale.
Në kuadër të manifestimit Fondacioni ndau bursa për 40 nxënës dhe 170 studentë të dalluar për vitin shkollor/akademik 2017/2018.
Bashkëpunim të mirëfilltë Fondacioni Albiz ka edhe me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Fondacioni Albiz paraqet një shembull të mirë të organizatave joqeveritare, që me punën e tyre u del në ndihmë nxënësve dhe studentëve, në profilizimin e tyre universitar, tha mes tjerash z. Arbër Ademi, zëvendës ministri i Arsimit dhe Shkencës.
Gjatë këtij evenimenti 30 kompanive donatore iu ndanë mirënjohje për kontributin e tyre. Për bashkëpunimin mes pushtetit lokal, Fondacionit Albiz dhe bizneseve foli z. Blerim Bexheti, kryetar i Komunës së Sarajit. Në emër të sektorit afarist u drejtua z. Kasam Zendeli, kryetar i Kuvendit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore.
Në këtë eveniment morën pjesë rreth 500 mysafirë, përfaqësues të sektorit afarist, institucioneve shtetërore, korit diplomatik, vetëqeverisjes lokale, universiteteve dhe organizatave joqeveritare./derveni.info