Në kuadër të takimeve zyrtare të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi,
është pritur edhe nga Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, të cilën kanë zhvilluar një takim në Pallatin Presidencial në Ankara.Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, i shoqëruar nga deputetët: z. Vesel Memedi, nënkryetar i Kuvendit, z. Enes Ibrahim, kryetar i Grupit të deputetëve për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Turqisë, z. Jusuf Hasani, anëtar i Grupit për bashkëpunim, sot e filloi vizitën zyrtare në Republikën e Turqisë me vizitën në Mauzoleun e Ataturkut ku vu kurorë me lule dhe u nënshkrua në Librin e artë.
Në vazhdim, Xhaferi realizoi takim tête-à-tête me mikpritësin, Ismail Kahraman, kryetarin e Asamblesë së Madhe Nacionale të Turqisë, me ç’rast u mbajt takim bilateral në nivel të delegacioneve parlamentare, dhe me të njëjtën kryesuan kryetarët e dy parlamenteve.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi në fillim të takimit shprehu kënaqësi për realizimin e vizitës zyrtare, si edhe për intensitetin e bashkëpunimit politik ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Turqisë, respektivisht takimet e numërta në nivelin më të lartë. Në të njëjtën kohë, ai u falënderua për mbështetjen konsekuente dhe konstruktive të Turqisë dhe për solidarizimin me Maqedoninë në suazat e integrimeve euroatlantike, sidomos për mbështetjen e fuqishme për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO. Kryetari i Kuvendit theksoi se presim mbështetje edhe më të fuqizuar nga Turqia për marrjen e ftesës së merituar për anëtarësim në NATO në Samitin e ardhshëm të Aleancës në korrik të këtij viti në Bruksel.
Kryetari i Asamblesë së Madhe Nacionale të Turqisë, Ismail Kahraman, shprehu shpresë për thellim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Asamblesë së Madhe Nacionale të Turqisë. Ai u falënderua për rolin konstruktiv të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore, respektivisht propozimin për zgjidhje kompromise, me qëllim të tejkalimit të ngecjes shumëvjeçare për gjetjen e zgjidhjes për selinë e Sekretariatit të kësaj asambleje parlamentare. Njëkohësisht, ai dha përkrahje për proceset reformuese dhe politikat e fqinjësisë së mirë që i bën Republika e Maqedonisë.
Në takim u këmbyen mendime për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Turqisë, me ç’rast u vlerësua se marrëdhëniet e përgjithshme ndërmjet dy vendeve karakterizohen me frymë të miqësisë tradicionale, tolerancës, bashkëpunimit aktiv dhe partneritetit.
Bashkëbiseduesit potencuan se marrëdhëniet e mira dhe intensive politike hapin hapësirë për bashkëpunim ekonomik akoma më të fuqishëm. Nevojitet thellim edhe i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes, punëve të brendshme, kulturës, drejtësisë, bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë ujore, pushtetit lokal, shëndetësisë, sportit, ambientit jetësor, punës dhe politikës sociale dhe ngjashëm.
Të dyja palët me kënaqësi konstatuan se marrëdhëniet e mira miqësore mes dy vendeve janë reflektuar edhe në bashkëpunimin e frytshëm parlamentar, si në nivelin bilateral, ashtu edhe në nivelin multilateral, në kuadër të asambleve parlamentare ndërkombëtare.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi vuri lule të freskëta edhe në pjesën e Parlamentit që ishte dëmtuar gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016 në Republikën e Turqisë, në kujtim të të rënëve.