Sot, në ambientet e Spitalit të Specializuar për Obstetrikë dhe Gjinekologji në Çair, drejtoresha e këtij institucioni shëndetësor, dr Meral Uzeiri Ferati, priti në një vizitë pune drejtorin e NP “Parqe dhe Gjelbrime” në Shkup, z. Muamer Seferi.
Takimi u fokusua në ndërmarrjen e hapave konkretë për përmirësimin e hapësirave përreth spitalit. Gjatë diskutimeve, dy drejtorët u dakorduan për realizimin e një aksioni të plotë pastrimi të ambientit, kositjen dhe mirëmbajtjen e parkut përreth, si dhe mbjelljen e drunjve të rinj, me qëllim krijimin e një mjedisi më të pastër, më të gjelbër dhe më dinjitoz për pacientet, stafin mjekësor dhe vizitorët.
Hapësirat e gjelbra pranë institucionit tonë shëndetësor nuk janë luks por paraqesin një element të domosdoshmëm, ku qetësia, ajri i pastër dhe një ambient i rregulluar ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien fizike dhe emocionale të pacienteve tona dhe foshnjeve të tyre. Në këtë drejtim, bashkëpunimi institucional mbetet kyç për përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve në dhe rreth objekteve shëndetësore.
Spitali i Specializuar për Obstetrikë dhe Gjinekologji në Çair shpreh falënderim për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e drejtorit Seferi dhe ndërmarrjes “Parqe dhe Gjelbrime”, me pritjen që aktivitetet e dakorduara të realizohen në afat sa më të shkurtër për ta bërë këtë hapësirë më të bukur dhe më mikpritëse për të gjithë.

