1.195 raste të dhunës në familje, 1.243 autorë dhe 1.275 viktima janë identifikuar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa janë raportuar gjithsej 5.436 ankesa, shumica për keqtrajtim psikik. Këto të dhëna tregojnë një rritje prej 10% të rasteve krahasuar me vitin e kaluar dhe një përhapje të gjerë të dhunës brenda familjes në vend. Këto janë të dhënat shqetësuese që pasqyrohen nëraportin vjetor të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), i cili evidenton se dhuna në familje mbetet një nga problemet më serioze sociale dhe të sigurisë në Maqedoninë e Veriut, raporton Portalb.mk.
“Janë regjistruar 315 vepra penale “dhunë”, për të cilat janë ndërmarrë masa të ndjekjes penale ndaj 623 personave, nga të cilët një është i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (SPB Shkup). Mënyra më e zakonshme e kryerjes së këtyre veprave është përdorimi i forcës fizike ose kërcënimi me mjete të forta dhe të mprehta, ndërsa motivet kryesore lidhen me mosmarrëveshje (familjare, momentale ose në trafik), me çështje të pazgjidhura pronësore-juridike ose me marrëdhënie borxh-kreditor”, thuhet në raport.
Numri më i madh i rasteve të dhunës është regjistruar në rajonin e SPB Shkupit me 121 vepra penale, njësoj si vitin e kaluar. Pas tij renditen SPB Tetovë me 65 raste dhe SPB Kumanovë me 38 raste.
Krahasuar me vitin e kaluar, veprat e dhunës shënojnë ulje për më shumë se 10%. Uljet më të mëdha janë regjistruar në rajonet e SPB Veles dhe SPB Kumanovë, me mbi 40%, ndërsa në rajonin e SPB Ohrit është shënuar rritje e konsiderueshme prej 145,5%.
Abuzim. Foto: Diodam10 në Canva
Abuzim. Foto: Diodam10 në Canva
Dhuna në familje shënoi rritje prej 10%
Sipas raportit, veprat penale më të shpeshta të lidhura me dhunën në familje janë “lëndim trupor”dhe “rrezikim i sigurisë”, ndërsa shumica e rasteve kryhen me forcë fizike ose me kërcënime. Në disa situata janë përdorur edhe armë zjarri, duke e rritur ndjeshëm rrezikun për jetën e viktimave.

