Ndërhyrja shqiptare në mosmarrëveshjen maqedono-bullgare është njësoj si ndërhyrja maqedonase në një mosmarrëveshje shqiptaro-kosovare! Ky është problemi ynë “familjar”, ashtu siç është edhe ai tjetri problemi juaj “familjar”! Këtë e shkruaj që fqinjët shqiptarë ta kuptojnë pse aq shumë zemërohemi me komentet e tyre rreth problemit aktual me Bullgarinë – veçanërisht me komentet e politikanëve të tyre.
Kjo është porosia që politikani kontrovers, i njohur për qëndrimer antishqiptare në Maqedoni, Petar Bogojevski i ka bërë shqiptarëve, të cilët komentojnë marrëdhëniet Maqedoni-Bullgari.
Bogojevski, partner koalicioni i VMRO-së në Qeveri, shkruan se bëhet fjalë për një grindje të vjetër familjare midis maqedonasve të Maqedonisë dhe maqedonasve të Bullgarisë.
“Këtu, bullgarët etnikë nuk kanë shumë faj! Këtë grindje na e ka shkaktuar Rusia dhe ajo zgjat tashmë prej dy shekujsh! Këshilla ime vëllazërore për shqiptarët: tregohuni të përmbajtur! Mos u përzieni në punët e të tjerëve, nëse nuk doni që edhe ne të ndërhyjmë në tuajat! Vetëm kështu do t’i mbyllim më lehtë problemet dhe do të ecim përpara! Shikoni shembullin e Bujar Osmanit?! Çfarë bëri? Vetëm i ngatërroi gjërat dhe tani përpiqu t’i rregullosh! Turp!”, shkruan Bogojevski, i cili së fundmi u emërua profesor në Akademinë Ushtarake pas shkarkimit nga posti drejtor i Agjencisë ERASMUS+, pasi kështu kishte kërkuar Komisioni Evropian.
“Grindjen midis nesh maqedonasve mund ta zgjidhim vetëm ne – askush tjetër! Kemi inat, është e vështirë, por do t’ia dalim! Ndërhyrja e shqiptarëve, serbëve, grekëve, turqve… vetëm do ta ndërlikojë situatën pafundësisht! Ne kemi telashe të mëdha me Rusinë… aty kemi nevojë për ndihmë nga bota! Por jo nga Ballkani – nga bota!”, shkruan Bogojevski.

