Banorët e fshatit Nerovë të Krushëvës këmbëngulin për legalizimin e shkollës fillore të cilët e ndërtuam vetë
Banorët e fshatit Nerovë të Krushëvës këmbëngulin për legalizimin e shkollës fillore të cilët e ndërtuam vetë
Vazhdon bojkoti i mësimit në shkollën fillore “Nikolla Karev” të fshatit Nerovë të Komunës së Krushevës. Dashmir Jusufi, mësimdhënës dhe banor i këtij fshati në intervistën për Alsat tha se legalizimi i objektit të ri shkollor është i patjetërsueshëm për shkak të rritjes së natalitetit në këtë pjesë të Krushevës. Ai shtoi se ndërtimi i objektit të ri shkollor është bërë duke respektuar të gjitha standardet për ndërtim, e posaçërisht për institucion shkollor. Sipas Jusufit, këtë e dëshmon edhe raporti i Entit për Testimin e Materialeve dhe Zhvillimin e Teknologjive të Reja “Shkup”, i cili e ka kryer këtë inspektim me kërkesë të vet banorëve.
“Ky është një fakt që nataliteti te popullata shqiptare në Komunën e Krushevës rritet dhe me automatizëm me këtë paraqitet nevoja të ketë një shkollë cilësore. Normalisht, prej fillimit e kemi ditë se mund të vijë kjo ditë dhe ja erdhi, ashtu që prej fillimit, kur e kemi filluar shkollën vazhdimisht jemi konsultuar edhe me arkitekt të ndryshëm për planin se si do të duket. Jemi konsultuar vazhdimisht me ekspertë të ndërtimtarisë, me inxhinierë të ndërtimtarisë se si të ndërtohet ajo shkollë”, tha Dashmir Jusufi, banor.
Gjithashtu, Jusufi tha se bojkoti do të vazhdojë derisa nuk marrin një përgjigje shpresëdhënëse se kjo çështje do të shqyrtohet ose do të zgjidhet. Jusufi kujtoi se politikanët shqiptarë vizitojnë këtë fshat vetëm gjatë fushatës së zgjedhjeve.
“Ne e dimë se bojkoti është masa më e rreptë që mund ta marr popullata ose një iniciativë si ne prindërit. Mirëpo, me të vërtet e pamë se rasti filloi të politizohet ashtu që ne e kuptuam se nuk mund të vazhdohet kështu. Nuk lejojmë që mbi shpinën e banorëve të Nerovës të ndërtojnë politikë partitë tjera. Thjesht duam që pasi u ndërtua shkolla, a ka shumë ndërtesa të tilla në nivel të shtetit, tani kërkojmë nga institucionet shtetërore, fillimisht nga pushteti lokal mandej edhe nga pushteti qendror që shkolla të legalizohet”, shtoi ai.
Lidhur me këtë problematikë, kryetari i Krushevës Toni Hristoski tha për Alsat se do të shqyrtohet çdo mundësi që objekti i ri shkollor mos të rrënohet por të vihet në shërbim të nxënësve dhe stafit mësimor. Sipas kryetarit të Komunës së Krushevës, Tome Hristoski, rreth 90% e objekteve në fshatrat e kësaj komune janë pa plan urbanistik, përfshirë edhe objektin e vjetër shkollor ku nxënësit aktualisht ndjekin mësimin./Alsat.mk