Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka vijuar takimet me qytetarët e Gostivarit, ku theksoi se nuk do të lejojë që Ligji për gjuhën shqipe të preket, pasi, siç u shpreh ai, ky ligj është “larë me gjak”.
Në fjalimin e tij, Ahmeti u shpreh se politikat që synojnë ndryshimin e këtij ligji janë të papranueshme dhe nuk do të çojnë përpara vendin. Ai kritikoi ato grupe që, sipas tij, janë larg realitetit dhe që nuk kanë lidhje me interesat e qytetarëve, duke i përshkruar si individë që vijnë nga “sallonet” dhe jo nga terreni.
Kreu i BDI-së po ashtu komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur që të shtyhet për 3 muaj miratimi i ligjit, deri në muajin mars ose maj, kohë kur do të mblidhen ekspertë dhe liderë të partive politike. Ai e vlerësoi këtë si një mundësi për të rinegociuar Marrëveshjen e Ohrit, e cila, sipas tij, është e garantuar nga SHBA, BE dhe NATO, dhe ka qenë një proces që është realizuar me shumë sakrifica nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK).