Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti mori pjesë në manifestimin e organizuar nga Forumi Rinor i BDI-së, Dega Tetovë, me rastin e fillimit të procesit zgjedhor të kësaj dege.
Ahmeti para rinistëve tetovarë përmendi të arriturat e BDI-së ndër vite teksa tha se tashmë pika kulminante e cila thyen të gjitha tabutë shoqërore është zgjedhja e kryeministrit të parë shqiptarë.
Ndër të tjera Ahmeti tha se BDI është forcë politike e pandalshmë e cila nuk diskuton nëse do te jetë fituese e zgjedhjeve ose jo, por diskutohet se sa e thellë do të jetë fitorja bindëse e këtij subjekti politik.
“Kur folëm për kryeministrin shqiptar, ca njerëz nuk më besuan. E drejta e tyre të mos besojnë, mirëpo unë gjithmonë shquhem si njeri që besoj dhe jam optimist. Kur është mosbesues e mban gjithmonë kokën prapa dhe duke parë prapa thyen qafën. Unë e thash edhe te Bledi Fevziu, jo qe do besoj por edhe do bëhet. Kur flas për BDI, flas për të arriturat që na bëjnë të gjithëvë krenar. Kur shkoj në UT më kujtohet objekti i vjetër, kur hy brenda takoj studentë nga të gjitha vendet shqiptare, mua dikur UDB-a më ka dërmuar se përse kërkonim universitet në gjuhën shqipe në Shkup, ndërsa tani kemi universitetet shqip. Ne kurrë nuk kerkonim dhunë, por kërkonim laps e fletore të shkruajmë e studiojmë. Dikur na frikësonin me dhunë, më polici, por sot kemi polic shqiptarë që na përfaqësojnë denjësisht me uniformat e tyre, kemi mësim shqip, flasim e mbajmë oganizime në gjuhën tonë. Maqedonasit duhet ta kuptojnë që s’ka Maqedoni pa shqiptarë, ne jemi zot në shtëpinë tonë e jo qiraxhinjë. Dikur ishte tabu që të kemi ministra, kryetar kuvendi e drejtora shqiptarë, sot i kemi dhe janë thyer tabutë shoqërore. BDI nuk diskuton më se a do të jemi fitues, mirëpo se sa e thellë do të jetë fitorja?!”, deklaroi Ahmeti. /indeks.mk