Lidhja Demokratike e Kosovës sot me Prishtinën ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka thënë se nga sot fillon një kapitull i ri për Kosovën, teksa ka renditur premtimet.
Ai u ndal tek jeta e qytetarëve dhe kthimi i dinjitetit.
Sipas tij, shtesat, përfitimet, beneficionet nuk do të jenë “lëmoshë elektorale” dhe se LDK nuk do t’i ndalë ato, por do t’i rrisë, duke garantuar rregullimin e kësaj çështjeje me anë të ligjit.
Abdixhiku premtoi po ashtu dyfishim të pensioneve dhe asnjë pension nën 300 euro, por edhe përkujdesje për kategori të tjera.
“Me 200 euro në muaj për secilin të porsalindur, për plot një vit. Me shtesa mujore për secilin fëmijë deri në moshën 16 vjeçare. Me mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë kujdestare”, tha Abdixhiku.
Ai poashtu u ndal në rritjen e pagave në sektorin publik.
“Mësuesi i Kosovës do të ketë pagën 1000 euro në qeverisjen tonë, polici, ushtari, infermieri, zjarrfikësi do të kenë 900 euro në muaj, koeficienti 150 për mbi 80 mijë punëtorë publik mbetet punëtori ynë”, theksoi kreu i LDK-së.(INA)

