Ishte një pasdite e zakonshme kur dy burra të panjohur, me pamje kërcënuese dhe pa asnjë dokument identifikues, hynë në oborrin e një shtëpie periferike në Maqedoninë e Veriut. Ata nuk erdhën për të trokitur me mirësjellje, por për të zhvatur para.
Kështu nis rrëfimi i një shoferi kamioni 32-vjeçar, i cili atë ditë ndodhej mijëra kilometra larg në rrugë, duke siguruar bukën e gojës për familjen, pasqyron rrjeti hulumtues IRL përmes një hulumtimi të detajuar.
Në shtëpi kishte mbetur vetëm nëna e tij 63-vjeçare, e sapokthyer nga puna. Pa pasur asnjë lidhje ligjore me kredinë prej 60 mijë denarësh të djalit – nga e cila tashmë ishin kthyer 67 mijë – gruaja u vu nën një presion psikologjik të pamëshirshëm. Nën kërcënimin e përmbaruesve, e frikësuar se do t’i merrnin gjithçka, ajo shkoi te bankomati më i afërt, tërhoqi 20 mijë denarë dhe ua dorëzoi ‘vizitorëve’. Të nesërmen, të njëjtët persona u rikthyen për të kërkuar të njëjtën shumë edhe nga bashkëshortja e tij.
Ky rast, tashmë i denoncuar në polici dhe i dokumentuar me video-incizim, është vetëm maja e ajsbergut në tregun e egër të ‘parave të shpejta’ në Maqedoninë e Veriut.
Dy vjet pas publikimit të dokumentarit tronditës ‘Jetë të vjedhura’ të Laboratorit të Gazetarisë Hulumtuese (IRL), premtimet politike për reforma të thella ligjore kanë mbetur vetëm në letër. Në terren, ligjin e bëjnë të ashtuquajturit ‘mbledhës të borxheve’ – shpesh ish-sigurues objektesh apo persona me të kaluar kriminale.
Dëshmitë e dhjetëra borxhlinjve që kanë folur për IRL-në vizatojnë një tablo të zymtë dhe shqetësuese me kërcënime dhe shantazhe.
Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi 14 denoncime për ngacmime dhe zhvatje (përfshirë dy raste të reja në Kumanovë) dhe 8 kallëzime penale, shoqëritë financiare fshihen pas një ‘kurthi’ juridik. Në kontratat e kredive, qytetarët nënshkruajnë klauzola ku japin ‘pëlqim të parevokueshëm’ që të vizitohen në shtëpi ose në punë.
Megjithatë, ekspertët ligjorë paralajmërojnë se ky pëlqim nuk u jep shoqërive private asnjë kompetencë përmbaruese. Sipas ligjit, arkëtimin e detyrueshëm mund ta kryejnë vetëm gjykatat, noterët dhe përmbaruesit, ndërsa praktika e presionit bie ndesh edhe me direktivat evropiane për mbrojtjen e konsumatorëve.
Pas fasadës së reklamave joshëse me ‘0% interes’, fshihet një treg në ekspansion të frikshëm, ku normat reale të shpenzimeve arrijnë shifra marramendëse. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, deri në mesin e vitit 2026 në vend janë regjistruar 263.423 kredi aktive të shpejta, me një borxh total prej 237 milionë eurosh (mesatarisht 900 euro për kredi).
Por, shpejtësia e dhënies së parave po e gërryen sistemin nga brenda: kreditë e këqija dhe të paarkëtueshme kanë thyer për herë të parë rekordin historik, duke kaluar 16,5 milionë euro – një normë prej 7%, pothuajse trefish më e lartë se në sektorin bankar. Për të pastruar bilancet e tyre në letër, shoqëritë financiare ua shesin këto borxhe të dyshimta 12 agjencive private për mbledhjen e borxheve, të cilat operojnë pa licencë për arkëtim të detyrueshëm, por gjenerojnë miliona euro fitim.
Më shumë lexo storjen e plotë të rrjetit hulumtues IRL

