Shkup, 10 nëntor – Koalicioni VLEN e ka cilësuar si hap historik miratimin në Qeveri të propozimit për dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, ndërsa ka rikonfirmuar përkushtimin për miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, rregullimin e statusit të të punësuarve me kontrata dhe avancimin e procesit të decentralizimit, përcjell gazeta KOHA.
Në komunikatën e lëshuar pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore, VLEN ka theksuar se partneriteti qeveritar mbetet stabil dhe se realizimi i premtimeve programore duhet të vlerësohet gjatë një mandati të plotë qeverisës.
“Miratimi në Qeveri i propozimit për provimin e jurisprudencës përbën një hap historik, me të cilin për herë të parë parashihet dhënia e provimit edhe në gjuhën shqipe. I dëgjuam studentët dhe u angazhuam që kjo çështje të marrë zgjidhje institucionale”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Në mbledhje është diskutuar edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, me theks të veçantë te përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i bashkësive etnike në institucionet shtetërore.
“Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e ndonjë partie politike. Ajo është arritje historike dhe rezultat i sakrificës së popullit shqiptar për barazi. Pas më shumë se dy dekadash pritjeje, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i të gjitha bashkësive etnike duhet të garantohet me ligj”, thekson VLEN-i.
Nga ky koalicion kanë bërë të ditur se miratimi i Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat mbetet ndër zotimet kryesore politike, ndërsa kanë drejtuar kritika ndaj opozitës për, siç pretendojnë, pengimin e këtij procesi.
“Është absurde të thirresh në Marrëveshjen e Ohrit dhe njëkohësisht të bllokosh avancimin e saj. Përgjegjësia për përmbylljen e këtij procesi u takon të gjitha subjekteve parlamentare që deklarohen në mbështetje të Marrëveshjes së Ohrit”, thuhet më tej në komunikatë.
VLEN ka rikujtuar edhe angazhimin për miratimin e propozimligjit që parasheh transformimin e angazhimeve me kontrata në marrëdhënie të rregullta pune. Sipas këtij koalicioni, personat që plotësojnë kushtet e përcaktuara do të mund të fitojnë marrëdhënie pune pa afat të caktuar.
“Pavarësisht bllokimit të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nga opozita, ne edhe pa mekanizmin e Balancuesit po dëshmojmë se me VLEN-in dyert e shërbimit publik për shqiptarët janë të hapura. Vendi i punës nuk guxon të jetë mjet për shantazhe politike”, theksohet në reagim.
Një tjetër çështje e trajtuar në mbledhjen e Kryesisë Qendrore ka qenë decentralizimi, të cilin VLEN e konsideron një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit. Sipas koalicionit, komunat me shumicë shqiptare tashmë po përfitojnë mbështetje financiare përmes projekteve dhe investimeve, pavarësisht përkatësisë politike të drejtuesve të tyre.
Në pjesën që lidhet me funksionimin e koalicionit qeveritar, VLEN ka përcjellë mesazhin se bashkëpunimi ndërmjet partnerëve është stabil dhe se nuk ka ndryshime në orientimin e tij politik.
“Partneriteti qeveritar është stabil. VLEN-i mbetet i përkushtuar ndaj përmbushjes së prioriteteve programore të premtuara para qytetarëve. Në këtë drejtim, vlerësojmë se efikasiteti i përgjithshëm i Qeverisë aktuale duhet të gjykohet përgjatë një mandati të plotë”, thuhet në komunikatë.
Kryesia Qendrore ka diskutuar gjithashtu për Raportin e ri të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, të cilin e ka vlerësuar si një pasqyrim objektiv të përparimit të vendit, por edhe të sfidave që vazhdojnë të mbeten në procesin e integrimit evropian.
Në fund, koalicioni ka paralajmëruar vazhdimin e angazhimeve institucionale në të gjitha nivelet e pushtetit, duke theksuar se përfaqësuesit e tij në Qeveri, Kuvend dhe pushtetin lokal do të punojnë për realizimin e prioriteteve të përcaktuara. (koha.mk)

