Në seancën e sotme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, me mbi 30 vota, u miratua Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve për vitin 2026.

Për miratimin e këtij programi u angazhua edhe këshilltarja e Lëvizjes Arbëria në Këshillin e Qytetit të Shkupit Sanije Duraku Kasami e cila theksoi rëndësinë e forcimit të mbrojtjes së qytetarëve dhe informimit të tyre për të drejtat që u takojnë si konsumatorë.
Programi synon që Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorëve të jetë më pranë qytetarëve dhe problemeve me të cilat ata përballen çdo ditë, duke përfshirë cilësinë e produkteve dhe shërbimeve, çmimet, kushtet e shitjes dhe respektimin e të drejtave të konsumatorëve.
Një pjesë e rëndësishme e programit është edhe informimi i qytetarëve se cilat janë të drejtat e tyre, si mund të parashtrojnë një ankesë dhe se ku duhet të drejtohen në rast se një e drejtë e tyre është shkelur.
Gjithashtu, parashihet trajtimi i problemeve dhe ankesave të konsumatorëve, me qëllim që qytetari të mos mbetet vetëm përballë një problemi, por të ketë informacion të qartë se çfarë të drejte ka, ku duhet të ankohet dhe si mund ta kërkojë mbrojtjen e saj.
Miratimi i këtij programi paraqet një hap konkret drejt një qasjeje më të afërt dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve, duke synuar rritjen e informimit dhe mbrojtjes së konsumatorëve në territorin e Qytetit të Shkupit.

