Filloi sezoni i dasmave në Dibër, po më vonë se vitet e kaluara, ndërsa sipas pronarëve të objekteve hotelierike numri i tyre këtë verë do të jetë më i vogël se më herët. “Deri para disa vitesh, sezoni i dasmave fillonte në mesin e majit dhe fillimin e qershorit, kur vinin mërgimtarët nga SHBA-ja, ndërsa më pas ata nga vendet e Evropës Perëndimore, dhe zgjaste deri në fund të gushtit. Gjatë asaj periudhe, ishte pothuajse e pamundur të gjeje një datë të lirë, sepse rezervimet bëheshin shumë më herët. Këtë vit, festimet vendase filluan në fillim të këtij muaji, por numri i tyre është dukshëm më i vogël. Këtë verë do të ketë rreth 30 për qind më pak dasma, thonë hotelierët.
Sipas tyre, ende ka data të lira, derisa vitet e kaluara nuk kanë pasur asnjë ditë të parezervuar gjatë gjithë sezonit të verës. Një nga arsyet kryesore për këtë rënie, është ndryshimi i shprehive të gjeneratave të reja të mërgimtarëve. Në të kaluarën, shumica e banorëve të Dibrës të cilët jetojnë dhe punojnë jashtë vendit organizonin dasma në vendlindjet e tyre, përderisa sot shumë prej tyre zgjedhin të bëjnë ceremoni të tilla në vendet ku jetojnë.
Një pjesë e çifteve të reja në vend të dasmave të shtrenjta, preferojnë udhëtime në vende të famshme ekzotike, ndërsa disa mjetet që i kanë i investojnë në blerjen e banesave. Kjo situatë sigurisht që prek muzikantët, fotografët, kameramanët, dekoruesit, pastiçerët dhe shumë të tjerë, ndërsa numri më i vogël i mërgimtarëve të ardhur dhe tregtarëve, të cilët bënin qarkullimin më të madh pikërisht në muajt e verës, kur prania e mërgimtarëve në atdheun e tyre ishte masive. Vitet e fundit, më shumë se katër mijë mërgimtarë, kryesisht nga vendet e Evropës Perëndimore, kanë qëndruar këtu, kur qyteti merrte jetë. Kishte shumë dasma dhe festa të tjera në shtëpi, plazhi i Liqenit të Dibrës ishte i mbushur me të rinj dhe tregtarët fërkonin duart nga kënaqësia për qarkullimin që kishin bërë.

