Qytetarët dhe vizitorët që frekuentojnë zonën turistike të Matkës tashmë mund të përfitojnë nga shërbimi i internetit publik falas në Kanionin e Matkës, njofton kryetari i Sarajit Muhamet Elmazi.
Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, ndërsa zbatohet nga GIZ në kuadër të programit EU4Digital.
Qëllimi i iniciativës është sigurimi i qasjes falas në internet publik në të gjithë Maqedoninë e Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Komuna e Sarajit renditet ndër 500 komunat përfituese të rrjetit WiFi4WB, i cili bazohet në modelin e suksesshëm të programit evropian WiFi4EU, përmes të cilit janë mundësuar mbi 7.000 pika interneti falas në mbarë Bashkimin Evropian.
Të gjithë qytetarët dhe turistët mund të lidhen pa pagesë dhe të shfrytëzojnë një rrjet të sigurt dhe të besueshëm interneti.
Me këtë investim, Komuna e Sarajit vazhdon të modernizojë shërbimet publike, të përmirësojë përvojën e vizitorëve dhe të forcojë lidhjen digjitale të komunitetit lokal.

