Ligji për mbrojtje nga përdorimi i duhanit filloi të shqyrtohet në Kuvend ndërsa për nesër është vendosur në rend dite në seancë plenare. Me ndryshimet ligjore, parashihet ndalim pothuajse total i pirjes së duhanit në hapësirat publike, raporton Alsat. Duhani dhe cigaret elektronike nuk do të mund të konsumohen në asnjë institucion shëndetësor, në çerdhe, shkolla, universitete e konvikte, në institucione shtetërore e komunale, në vendet e punës, në autobusë dhe mjete tjera të transportit, në stacione autobusi, hekurudhore apo aeroport, në qendra tregtare, dyqane, tregje e panaire, në hotele, restorante, kafene dhe diskoteka, në kazino dhe objekte të lojëra të fatit, në ndërtesa kolektive e të tjera. Duhani do të jetë i ndaluar brenda 20 metrave nga hyrjet e spitaleve, shkollave, universiteteve dhe çerdheve, objekte ku qëndrojnë fëmijë si dhe qendrat sportive. Nëpër automjetet private, ndalohet tërësisht nëse brenda ka fëmijë apo ndonjë i mitur. Nëpër lokale, lejohet vetëm në tarraca plotësisht të hapura dhe gjysmë të hapura me të paktën dy anë tërësisht të hapura.

