
Sot u shënua një moment i rëndësishëm për banorët e Rashçes dhe nxënësit e Shkollës Fillore “Drita”, ku Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, vendosi gurthemelin për ndërtimin e sallës multifunksionale sportive, një projekt i shumëpritur që po realizohet pas 12 vitesh pritjeje.

Ky investim paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve për zhvillimin e sportit dhe aktiviteteve edukative, duke krijuar hapësira moderne për nxënësit dhe të rinjtë e vendbanimit. Salla multifunksionale do të shërbejë për aktivitete sportive, rekreative dhe kulturore, duke kontribuar në zhvillimin e gjithanshëm të gjeneratave të reja.
Me këtë rast, kryetari Elmazi theksoi se realizimi i këtij projekti është dëshmi e përkushtimit të Komunës së Sarajit për përmbushjen e premtimeve dhe investimin në projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Nga Komuna e Sarajit bëjnë të ditur se investimet në infrastrukturën arsimore dhe sportive do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim krijimin e kushteve më të mira për qytetarët dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për të rinjtë.

