Tri rreziqe për ekonominë në 2026

Situata e paparashikueshme ekonomike në tregun evropian, e ndikuar nga lufta në Ukrainë dhe paqartësitë rreth përfundimit të saj, ekspozimi i madh i eksportit vendor ndaj tregut të Bashkimit Evropian, si dhe stanjacioni i industrisë së automjeteve në BE, paraqesin disa nga sfidat kryesore të jashtme për ekonominë e Maqedonisë së Veriut në vitin 2026. Përveç këtyre faktorëve, një hije e rëndë mbi zhvillimet ekonomike pritet të jetë edhe mbajtja eventuale e zgjedhjeve parlamentare gjatë vitit të ardhshëm

 

Fisnik PASHOLLI

 

Shkup, 31 dhjetor – Ekonomia e Maqedonisë së Veriut hyn në vitin 2026 me pritje të përziera. Nga njëra anë, ka shenja stabilizimi dhe potencial për rritje, ndërsa nga ana tjetër mbeten rreziqe serioze të brendshme dhe të jashtme. Varësia e madhe nga ekonomia evropiane, veçanërisht nga Gjermania, tensionet gjeopolitike dhe ndërprerjet e mundshme në zinxhirët e furnizimit vazhdojnë të mbeten kërcënime reale për biznesin vendor. Problem kronik i ekonomisë mbetet produktiviteti i ulët dhe reformat e pamjaftueshme strukturore. Vetëm rreth pesë për qind e bizneseve në vend janë eksportuese, ndërsa mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe mospërputhja mes kërkesës dhe ofertës në tregun e punës vazhdojnë të frenojnë zhvillimin, shkruan gazeta KOHA. Një tjetër sfidë serioze mbetet ekonomia gri, e cila edhe pse me vite në fokus të politikave publike, ende nuk është reduktuar ndjeshëm.

 

HIJA E ZGJEDHJEVE MBI EKONOMINË

 

Profesori universitar Neritan Turkeshi vlerëson se një nga faktorët më të mëdhenj të pasigurisë ekonomike në vitin 2026 do të jetë mbajtja eventuale e zgjedhjeve parlamentare, që pritet të zhvillohen në mesin e vitit ose në shtator. Sipas tij, përvoja e cikleve të mëparshme zgjedhore ka treguar se për disa muaj ekonomia hyn në një fazë ngadalësimi, pasi shumë vendime shtyhen ose anulohen për shkak të kufizimeve ligjore të Kodit Zgjedhor.

 

“Ekspertët prej vitesh theksojnë nevojën për realizim maksimal të investimeve kapitale. Në buxhetin e fundit, këto investime janë planifikuar në nivele optimale dhe pritet të kenë efekt pozitiv, veçanërisht me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10, të cilat mund të mbështesin rritjen ekonomike”, thekson Turkeshi. Ai shton se sfidë mbetet edhe nxitja e investimeve të biznesit vendor, i cili shpesh lihet në hije krahas investimeve të huaja direkte. Sipas vlerësimeve, ekonomia informale përmban rreth një miliard euro potencial fiskal në vit, çka tregon rëndësinë e formalizimit gradual të saj.

 

Në të njëjtën kohë, sipas Turkeshi, vendi duhet të rrisë kapacitetet prodhuese, të forcojë eksportin të mbështetur në teknologji të reja, të përmirësojë ambientin e biznesit dhe të investojë në një impiant madhor për prodhimin e energjisë elektrike, me qëllim uljen e varësisë nga importi i rrymës dhe ushqimit në vitet e ardhshme.

 

BIZNESI KËRKON STABILITET DHE PARASHIKUESHMËRI

 

Kryetari i Konfederatës së Biznesit të Maqedonisë, Mile Boshkov, thekson se biznesi ka nevojë për stabilitet politik dhe legjislacion të parashikueshëm. “Pritjet tona janë për një kornizë ligjore të qëndrueshme, pa zgjidhje të papritura zgjedhore. Vetëm kështu mund të investojmë dhe të planifikojmë zhvillim afatgjatë. Duhet të fokusohemi në investime reale, qofshin ato infrastrukturore apo teknologjike, për të rritur konkurrueshmërinë”, deklaron Boshkov. Sipas tij, ekonomia ka dëshmuar rezistencë edhe në kriza të mëdha, përfshirë pandeminë, dhe pikërisht kjo duhet të shërbejë si bazë për zhvillim të qëndrueshëm.

 

INFLACIONI MBETET TELASH KRYESOR

 

Megjithatë, inflacioni vazhdon të jetë një nga shqetësimet kryesore për qytetarët dhe ekzekutivin. Ekonomistët vlerësojnë se inflacioni në vend ka karakteristika strukturore, duke qenë më i lartë se ai evropian për shkak të konkurrencës së kufizuar, përqendrimit të tregut, kostove të larta logjistike dhe varësisë nga importet. Masat administrative si ngrirja e marzheve apo “shportat anti-inflacioniste” japin efekt afatshkurtër, por nuk e ndryshojnë ekuilibrin real të tregut. Të dhënat tregojnë se shporta minimale është rritur nga rreth 35.000 denarë në dhjetor 2021 në mbi 65.000 denarë në shtator 2025, një rritje prej rreth 40 për qind vetëm në dy vitet e fundit.

 

Strategjia fiskale e rishikuar për periudhën 2026–2030 parashikon që inflacioni për vitin aktual të korrigjohet nga 2.8 në 3.9 për qind, ndërsa në vitin 2026 pritet të jetë 2.5 për qind dhe gradualisht të bjerë në 2 për qind në vitet pasuese.

 

Banka Botërore thekson se inflacioni bazë mbetet i rrënjosur, duke treguar se presioni i çmimeve është transferuar në sektorin e shërbimeve, ku kostot e punës zënë pjesë të konsiderueshme. Nga ana tjetër, analizat e inteligjencës artificiale evidentojnë faktorë pozitivë si rritja e ndërtimit (30.6% në tremujorin e tretë) dhe progresi gradual në integrimin evropian, të cilat përmirësojnë klimën e investimeve. Megjithatë, stabiliteti politik, ekonomia informale dhe rreziqet e jashtme vazhdojnë të kufizojnë potencialin e plotë të rritjes ekonomike.(koha.mk)

Më të lexuara

Pagoi mbi 338 mijë denarë për shtëpinë e re – mjeshtri nga Matka e Epërme u zhduk me paratë

Një 46-vjeçar nga rajoni i Shkupit ka denoncuar në...

Ndahet nga jeta i riu nga Saraji, Huseijn Alija

Me pikëllim të thellë është pritur lajmi për ndarjen...

Skandal në „Higjiena Komunale“ – Shkup: Punonjësi humb vetëdijen nga kërcënimet, policia gjen pistoletë në veturën e shefit

Një udhëheqës sektori në Ndërmarrjen Publike „Higjiena Komunale“ është...

Gjimnazisti nga Saraji promovoi librin e parë

Sot në shkollën e mesme në Saraj, një nxënës...

8 të arrestuar, sekuestrohen rreth 50 mijë euro! Aksion policor për dyshime për krim në operacionet e syve

Aksioni i policisë përfundoi me prangosjen e 8 personave,...

DPHM: Maqedonia nesër do të përfshihet nga një erë e fortë deri 80 km/h

Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike njofton se të premten, më...

Drejtorët e “Dauti-Komerc”, në konferencën ekonomike “Ekonomia shpëtonë Luginën”

Në konferencën e ekonomike me temë “ Ekonomia shpëtonë...

Artikuj të ngjashëm