Sekretari i Fakultetit të Shkencave të Informatikës në Universitetin “Nënë Tereza” – Shkup reagoi ndaj lajmeve të pavërteta të publikuara në disa media, portale dhe rrjete sociale, ku pretendohet se ai ka ftuar studentë të marrin pjesë në tubime partiake. Në deklaratën e tij zyrtare, ai hedh poshtë me vendosmëri këto akuza, duke i cilësuar ato si të rreme, të fabrikuara dhe me prapavijë tendencioze, që synojnë dëmtimin e integritetit të tij personal, profesional dhe akademik, si dhe cenimin e reputacionit të institucionit ku ai shërben.
May be an image of text that says “Forwarded Përshendetje student informatikes. Ftoheni e diellën ne sallën Boris Trajkovski në orën 6:30 ju lutem e tregoni a do vini sepse duhet listë. Sekretar Fakulteti Shkencave Informatikes:” 4:27pm pm 4:27″
Reagimi i plotë:

DEMANT
Sekretari i Fakultetit të Shkencave të Informatikës – Universiteti “Nënë Tereza”, Shkup Në lidhje me lajmet e PAVËRTETA të publikuara në disa media, portale dhe rrjete sociale, ku pretendohet se unë, si Sekretar i Fakultetit të Shkencave të Informatikës, kam ftuar studentë në tubime partiake, deklaroj me përgjegjësi të plotë se:
Ky pretendim është i RREMË, i FABRIKUAR dhe krejtësisht TENDENCIOZ. Mesazhi i shpërndarë nuk është shkruar nga unë dhe as nuk është dërguar nga numri im i telefonit. Ky akt është një manipulim i qëllimshëm, që synon të dëmtojë integritetin tim personal, profesional dhe akademik, si dhe të cenojë reputacionin e Fakultetit dhe të Universitetit.
Si doktor shkence dhe kuadër akademik, punoj me përkushtim të plotë në shërbim të arsimit të lartë, dijes dhe studentëve, duke respektuar gjithmonë parimin e pavarësisë së universitetit nga çdo ndikim apo agjendë politike.
Refuzoj kategorikisht çdo akuzë për përfshirje në aktivitete të tilla dhe theksoj se e konsideroj të papranueshme dhe të dënueshme përpjekjen për të përdorur emrin tim dhe institucionin ku unë shërbej për qëllime politike.
U bëj thirrje mediave dhe opinionit publik që të mos bien pre e lajmeve të RREME dhe të PAVËRTETUARA, si dhe të respektojnë standardet profesionale të informimit.
Rahim Jashari
Sekrerar i Fakultetit të shkencave të informatikës Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup

