Çelja e një tjetër grup-kapitulli në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, për kryeministrin Edi Rama tregon se rruga e Shqipërisë drejt BE vijon pa ndalim. Në një reagim në rrjetet sociale ai shprehet se ka një ritëm të lartë që tregon përparimin e Shqipërisë.
“Rruga drejt Shqipërisë 2030 në BE vazhdon pa ndalim. Këshilli i BE miratoi çeljen e negociatave për 8 kapituj të rinj nga Grupi 3: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, që përfshin arsimin, digjitalizimin, punësimin, politikën ekonomike, tatimet dhe inovacionin. Deri tani janë hapur negociatat për 24 kapituj në vetëm 8 muaj dhe mbeten vetëm 11 të tjerë për t’u hapur, një ritëm tejet i lartë që tregon përparimin e Shqipërisë dhe mbështetjen e BE-së për të arritur objektivin e përbashkët të mbylljes së negociatave më 2027”, shkruan Rama.
Një reagim në rrjetet sociale ka bërë edhe komisionerja për zgjerimin e BE-së, Marta Kos.
“Urime Shqipërisë për hapjen sot të Grupit 3 mbi konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse! Kjo do të thotë një ekonomi më e fortë shqiptare në dobi të qytetarëve të saj dhe një hap tjetër më afër BE-së. Zgjerimi i BE-së ka të bëjë me përparimin ditë pas dite”, shkruan Kos.
Një moment të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt BE e ka cilësuar çeljen e kapitujve të tjerë edhe Drejtori për Zgjerimin e BE-së, Gert Jan Koopman.