Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, sot për herë të parë u prononcua për mediat se përse nuk i nënshkroi propozim-ndryshimet në Kodin e ri Penal, me të cilin ulen dënimet për shpërdorim të detyrës zyrtare si dhe shkurtohet afati për vjetërsimin e veprave. Lloga shpjegoi se kur zëvendësja e tij ka nënshkruar ndryshimet, ai ka qenë jashtë shtetit, por megjithatë e pohon se ai nuk pajtohet me ndryshimet e bëra.
“Zëvendësministrja ka të drejtë si çdo ministër tjetër në Qeveri kur mungon ministri dhe mund të jetë propozues i gjithçkaje. Autorizimi është i përcaktuar në Ligjin mbi Qeverinë, kështu që unë nuk jam askush që ta autorizoj ose jo dikë në shtet”- deklaroi Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë.Lloga bëri të ditur se është duke u punuar për një Kod të ri penal. Nuk tregoi se kush bën pjesë në grupin e punës që do të punojë në ligjin e ri po tha se do të kërkojë që në nenin për shpërdorim me detyrën zyrtare, të rikthehen dispozitat e kaluara.
“Në Kodin e ri Penal do të ketë vepra edhe tjera të cilat do të precizohen me shpërdorimin e detyrës zyrtare dhe veprat tjera nga përgjegjësia e personave të zgjedhur dhe emëruar. Ka diskutime dhe besoj se lartësia e dënimeve do të duhet të kthehet sipas standardeve të BE-së, të cilat janë si ato që ishin në Kodin e vjetër Penal”- tha Krenar Lloga, Ministër I Drejtësisë.
Ndërkaq kryeministri Dimitar Kovaçevski disa herë ka përsëritur se ndryshimi i Kodit penal është bërë për harmonizimin e ligjit me legjislacion europian, por nga ana tjetër kishte kritika nga vetë euroambasadori në vend Dejvid Gir.