VMRO-DPMNE-ja kërkoi zyrtarisht nga Kuvendi që t’i kërkojë Qeverisë propozimin e Ligjit për ratifikimin e protokollit përfundimtar për anëtarësim në NATO. Sipas partisë së Hristijan Mickoskit, pushteti po tenton që duke flijuar anëtarësimin në NATO, t’i shtyj zgjedhjet e parakohshme parlamentare të parapara për 12 prill 2020.
Këtë e bëjmë nga nevoja se cdo ditë e më tepër kërkojnë mënyra t’iu shmangur zgjedhjeve. Në Aleancë ka praktika të tilla ratifikimi. Mundësia për ta zgjidhur është e madhe, me qëllim që të mos kemi probleme. Zvarritja e ratifikimit është thjeshtë kumar që po e bën LSDM-ja- deklaroi Nikolla Micevski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela kërkon që protokolli përfundimtar të miratohet më 11 dhjetor. Sipas tij, BDI po tenton anulimin e zgjedhjeve me qëllim që të mos mund të votojnë shqiptarët.
Të mos jetë objekt NATO-ja i qëllimeve disa aktorëve politik të cilat duan ta shtyjnë datën e zgjedhjeve të caktuar për 12 prill. Ne jemi të vetëdijshëm pse e kërkojmë. Shfrytëzojnë këtë moment që të arrijnë sa më pak qytetarë të jenë prezent më 12 prill këtu. Oponenti ynë politik ka qenë më i zëshëm në drejtim të kësaj, duke marrë për shkas NATO-n dhe për të shty 12 prillin. Sipas gjitha gjasave ato frikësohen kur shohin shumë shqiptar dhe më 12 prill do të ketë shumë shqiptar pasi do të vijë edhe diaspora- tha Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi thotë se nisma është dorëzuar në adresë të gabuar, por që do t’i ri-adresohet organit ekzekutiv.
Neni 188 sanksionon që për propozim dhe nismë për miratim të ligjit për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare është kompetencë e Qeverisë. Për aspekt formal, derisa një dokument dorëzohet tek unë dhe nuk është kompetencë e Kuvendit, është obligim procedural që një akt i tillë, cilido qoftë ai t’i adresohet organit kompetent, këtë rast t’i adresohet Qeverisë që ta merr në shqyrtim kërkesën e deputetëve- pohoi Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.
Opozita kërkon që protokolli përfundimtar për anëtarësim në NATO të miratohet duke marrë për shembull Malin e Zi. Ekspertët vlerësojnë se kjo nuk paraqet problem Kushtetues, por se në propozim-ligj duhet saktësuar se deri tani protokolli është ratifikuar nga të gjitha vendet, përjashtim Spanjës e cila akoma nuk ka Kuvend funksional. Javën e kaluar, nënkryetarja e Qeverisë, Radmilla Shekerinska deklaroi se zgjedhjet e 12 prillit mund të shtyhen në rast se cenohet anëtarësimi në NATO.

