Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është i gatshëm të zbatojë zgjedhje parlamentare për çdo model për të cilin është arritur marrëveshje midis partive politike, përfshirë edhe modelin me lista të hapua zgjedhore, deklaroi sot kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski. Ai ka theksuar se me fushatat aktuale të partive politike, veçanërisht të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-s, shkelet Kodi Zgjedhor.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është i gatshëm për çfarëdo lloj modeli që do të dakordohen partitë politike për zgjedhjet e ardhshme. Janë të hapur edhe për lista të hapura dhe për ndryshime në procesin e votimit të diasporës.
“Në vazhdimësi them se lista zgjedhore është në rregull, nuk ka votues fantom, vazhdimisht pastrohet lista dhe kontrollohet e përpunohet ashtu siç i marrim të dhënat kuartale nga MPB-ja dhe kuptohet se në një listë ku kemi mbi 1.8 milion votues mund të gjenden gabime, por gjithçka është në një kornizë të lejueshme.” –deklaroi Oliver Derkovski, Kryetar i KSHZ-së.
Siç ka thënë kreu i KSHZ-së Oliver Derkovski, në zgjedhet e ardhshme do të ketë kushte më të mira për votim të personave me pengesa. Ndryshe, shumë probleme, vështirësi dhe kufizime kanë ndaluar personat me nevoja të veçnata të marrin pjesë në proceset zgjedhore. Raporti i Monitorimit të Zgjedhjeve Presidenciale 2019 nga ana e vëzhguesve ka konstatuar se këto probleme kanë kontribuar që personat me nevoja të posaçme të diskriminohen dhe stigmatizohen duke mos u respektuar e drejta dhe liria e tyre zgjedhore.

