“Objekti i shkollës nuk guxon dhe nuk duhet të shembet”. Kështu porosit Avokati i Popullit Naser Ziberi për problematikën e shkollës së fshatit Norovë, ku shkolla e re e ndërtuar nga prindët rrezikon shembjen, për shkak se institucionet konstatojnë se është objekt pa leje. Ziberi për TV Shenjën thotë se është i njoftuar me problematikën dhe se nga kjo shkollë kanë parashtruar parashtresë në adresë të Ombudsmanit.
Naser Ziberi, Avokat i Popullit
“Është fakt i pamohueshëm se objekti i vjetër nuk i plotëson kushtet elementare dhe minimale për zhvillim të procesit edukativo-arsimor dhe është po ashtu e pamohueshme se nxënësit me bojktotin humbin procesin arsimor”.
Avokati i Popullit gjithashtu porosit që komuna dhe pushteti qendror të angazhohen që ai objekt të përfundohet dhe primare të jetë interesi i fëmijëve që procesi arsimor të vazhdoj, ndërsa procedurat ligjore të vazhdojnë që ai objekt të legalizohet dhe të jetë në shfrytëzim të atyre nxënësve.
Naser Ziberi, Avokat i Popullit
“Unë nuk dua të mendoj se objekti i ri mund të vej në pikëpyetje perspektivën e atyre fëmijëve. Ai objekt nuk guxon dhe nuk duhet të shembet, përkundrazi institucionet edhe komuna edhe pushteti qëndror duhet të kontribojnë në përfundimin e punëve që ai objekt të vihet në përdorim e jo të shembet”.
Në një shtet normal shton Ziberi, shkollën duhej ta ndërtonte vetë shteti e jo prindët. Por thekson se fatkeqësisht prindërit të ballafaquar me një situatë të atillë, kanë ndërmarrë vetë atë aktivitet.
Të gjendur në një situatë të këtillë, banorët e Norovës kërkojnë të ju lejohet vazhdimi i punimeve. Kurse institucionet kompetente të gjitha arsyetohen për veprimet dhe mos veprimet e ndërmarra, por asnjëra nuk premton zgjidhje konkrete.