Kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Tregti, Musa Xhaferi, i shoqëruar nga deputetë tjerë, ka pritur sot në takim ambasadorin e Francës në Shkup, Christophe Le Rigoller. Me këtë rast, në takim është biseduar për të ardhmen e vendit drejt Bashkimit Evropian, ndërsa janë theksuar detyrat që Shkupi zyrtar i ka marrë për të kryer në rrugëtimin drejt eurointegrimeve.
Gjithashtu, në takim është diskutuar edhe për luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin e demokracisë, si element thelbësor që qytetarët të kenë besim në institucionet e shtetit.
Në takim, kryetari i Komisionit, deputeti Xhaferi ka informuar se për të thelluar bashkimin me Bullgarinë, do t’i dërgojë ftesë Komisionit parlamentar për punë të jashtme të Sofjes zyrtare, ndërsa kjo pritet të ndodhë shumë shpejtë.
Ndryshe, qëndrimi francez për Ballkanin është i theksuar viteve të fundit, ndërsa në disa raste, Parisi zyrtar ka shprehur një vizion të qartë për rajonin, i cili mbështetet në një strategji të përgjithshme në politikën e jashtme për Ballkanin Perëndimor dhe prioriteti i Francës për Ballkanin Perëndimor vazhdon të jetë siguria dhe prosperiteti. Dhe, këto synime siç ka përsëritur ambasadori Christophe Le Rigoller në shumë takime, mund të arrihen vetëm përmes integrimit evropian./koha.mk