Gjatë realizimit të projektit “Java Kulturore Shqiptare në Amerikë”, dje (13 shtator) Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, në bashkëpunim me Shoqatën e Femrave Shqiptaro-Amerikane “Marigona” në New Jersey e organizoi panelin “Trashëgimia kulturore shqiptare në Maqedoni”.
Me këtë rast para një auditori të zgjedhur dhe serioz foli drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Skender Asani, i cili u ndal veçmas në punën që e bën Instituti për mbrojtjen dhe kultivimin e trashëgimisë shpirtërore, kulturore dhe materiale shqiptare në Maqedoni. Ai theksoi se “Instituti jonë është kujdestar i vetëm institucional për kulturën materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve në Maqedoni dhe, përkundër faktit se kemi mbi vete një detyrë të vështirë, ne jemi të përkushtuar që këtë mision ta realizojmë.”. Për këtë – tha ai – dëshmojnë botimet e tona, që asnjë vit nuk janë më pak se 30-40 sosh.
Në organizimin e këtij paneli morën pjesë edhe Lidhja Ndërkombëtare e Shkrimtarëve, Poetëve dhe Artistëve “Pegasi Albania”, si dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.