Një rast i dyshimtë korrupsioni është duke u hetuar në Spitalin e Specializuar Geriatrik, ku në qendër të vëmendjes ndodhet drejtori i këtij institucioni, Muhsin Arifi. Burime të “Sloboden Peçat” bëjnë të ditur se shuma prej 20 mijë eurosh të gatshme, të përfolura si ryshfet i mundshëm, nuk janë gjetur te Arifi gjatë kontrollit.
Sipas informacioneve jozyrtare, paratë janë gjetur tek një ndërmjetës që ishte i punësuar në spital. Ky person e ka identifikuar drejtorin Arifi si njeriun që supozohet se kërkonte para në këmbim të një shtrimi afatgjatë të një pacienti në spital – për një periudhë prej një apo dy vitesh.
Për momentin, nuk është e qartë nëse Arifi ka kërkuar realisht paratë, apo emri i tij është keqpërdorur nga ndërmjetësi për të marrë paratë.
Spitali i Specializuar Geriatrik pranon pacientë të moshës së tretë në gjendje të rëndë shëndetësore. Kapaciteti i tij është i kufizuar, listat e pritjes janë të gjata, dhe çdo vend i lirë në këtë institucion është shumë i kërkuar, thonë burime të brendshme të spitalit.
Hetimet për këtë rast vazhdojnë./zyrtare.net