Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, sonte ka zbuluar se Azir Aliu, deri para tre javësh, ka ushtruar presion brenda partisë për të filluar sa më shpejt bashkëpunimin me BDI-në.
Në një intervistë për TV Sitel, Taravari ripërsëriti se Aliu, pa dijeninë e tij, ka komunikuar me partinë e Ahmetit që në janar të këtij viti.
“Azir Aliu ka komunikuar me BDI-në që nga janari. Unë nuk kam qenë në dijeni se është ulur dhe ka biseduar. I kam thënë se, të paktën, është dashur të më informojë. Ndërkohë, deri para tre javësh bënte presion, jo te unë personalisht, por brenda partisë, që të fillohej bashkëpunimi sa më parë me BDI-në”, tha Taravari.
Ai u shpreh se tani e befason veprimi i Azir Aliut, i cili – sipas tij – shtiret sikur është kundër BDI-së.
Nëse Aliu merr postin e Ministrit të Shëndetësisë, Taravari i ka uruar suksese, por e paralajmëroi se ai është një resor shumë specifik dhe kërkues.