Sot , më 25 maj, në orën 17.00 deri 20.00, do të mbahet takimi letrar me titull SHKUPI LEXON. Takimi i bukur letrar do të mbahet në një ambient të bukur, në parkun, përballë Kalasë së Shkupit. Ky manifestim që mbahet për herë të dytë dhe që bëhet tradicional do të zhvillohet në organizim të Qendrës Informative Kulturore të Shkupit.
Meqë mbahet në ambient të hapur, pritet që edhe sivjet ta zgjojë kërshërinë e publikut shkupjan që të marrë pjesë në këtë ngjarje kulturore. Veç kësaj manifestimi pritet t’i joshë edhe kalimtarët, të cilët, si vitin e kaluar, edhe sivjet, do të dalin të kënaqur dhe të disponuar pas këtij takimi. Ky mbase është qëllimi i këtij manifestimi, madje do ta kishim quajtur edhe misioni i takimit që poezinë ta sjellë midis njerëzve, midis kalimtarëve të cilët të ngarkuar me halle, me probleme dhe me dinamikën që na e merr padiktueshëm kohën, do të kenë mundësi të kalojnë disa çaste duke dëgjuar vargje që u kushtohen dashurisë, gjuhës, fateve njerëzore, emocioneve dhe problemeve të ndryshme të para nga syri i i krijuesve shqiptarë. Kjo është arsyeja që SHKUPI LEXON mbahet në një vend ndoshta të parëndomtë për afirmimin e krijimtarisë letrare shqipe, por në këtë mënyrë poezia shkon drejtpërdrejtë te lexuesi.
Duke falënderuar Qendrën informative kulturore dhe drejtoreshën Sermine Purrini dhe falë angazhimit të saj që ta japë kontributin për afirmimin e letërsisë shqipe në Shkup e në Republikën e Maqedonisë edhe njëherë do të dëgjohet në qendër të qytetit krijimtaria shqipe e deklamuar nga vetë krijuesit letrarë. Në program, midis tjerash, janë përfshirë poezi kushtuar gjuhës shqipe, ndërsa figura letrare që do të përkujtohet sivjet është poeti Murtezan Arifi, i cili ka lënë pas vetes një krijimtari të veçantë lirike shqipe.
Publiku do te argetohet edhe me Jehona&bend me tingujt e bukur te muzikes shqipe, do të ketë edhe befasi të tjera që paraqesin freski të vërtetë për jetën kulturore në gjuhën shqipe këtu në kryeqytet.
Për organizimin e manifestimit letrar është kujdesur poetesha Lindita Ahmeti dhe per pjesen e te rinjeve Arlinda Baftiu.