Kuadri ligjor i cili parasheh një sërë rregullash në komunikacion për përdorimin e trotineteve elektrike sipas autoriteteve nuk është i mjaftueshëm për të vendosur rend në trafik. Kaosi me trotinetet ka ngritur alarmin dhe shqetësimin te qytetarët për sigurinë sidomos duke pasur parasysh numrin e aksidenteve që vetëm vitin e kaluar kanë ndodhur 147. Për këtë, Ministria e Punëve të Brendshme thotë se kanë nisur punën për të avancuar rregullat e Ligjit.
“Për momentin po bëhet analizë e kuadrit ekzistues ligjor dhe po përgatiten propozim-zgjidhjet për avancimin e tij. Grupi i punës po punon në mënyrë intensive, gjatë së cilës po shqyrtohen rekomandimet dhe praktikat e mira në këtë fushë, përvojat krahasuese nga shtetet tjera, por edhe sfidat me të cilat përballemi”, thonë nga MPB për Alsat.

