Butel, Qershor 2025 – Në përvjetorin e Komunës së Butelit, BDI-Dega Butel ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si diskriminim sistematik dhe të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve në këtë komunë të Shkupit.
Në një deklaratë publike, BDI ka shprehur keqardhjen që shqiptarët, ndonëse kontribuues të barabartë si taksapagues, vazhdojnë të përjashtohen nga politikat zhvillimore të komunës. “Vendbanime shqiptare si Vizbegu dhe Luboteni janë tërësisht të anashkaluara nga investimet publike, ndërsa mjetet financiare të buxhetit komunal përqendrohen vetëm në vendbanimet maqedonase,” thuhet në deklaratë.
Sipas BDI-së, kjo nuk është vetëm neglizhencë, por një përpjekje aktive për t’i përjashtuar shqiptarët nga jeta e kësaj komune. “Leje ndërtimi po anulohen qëllimisht për të penguar vendosjen e shqiptarëve, ndërsa në disa ndërtesa nuk jepen fletëpronësia, duke i mohuar qytetarëve të drejtën themelore për të regjistruar adresën e tyre,” thuhet më tej.
Partia akuzon për diskriminim të hapur institucional dhe fajëson jo vetëm qeverisjen e drejtuar nga VMRO, por edhe heshtjen e disa partnerëve shqiptarë në pushtet. “Nacionalizmi i VMRO-së është i njohur, por ajo që është më e dhimbshme është qëndrimi servil i disa partive shqiptare që nuk reagojnë përballë këtyre padrejtësive,” thuhet në reagim.
BDI-Dega Butel ka bërë të ditur se nuk do të qëndrojë duarkryq. “Koha për ndryshim ka ardhur! Ne do të luftojmë për barazi dhe të drejtat tona. Shqiptarët nuk mund të trajtohen më si qytetarë të dorës së dytë. Tetori është afër dhe qytetarët do të flasin,” përmbyllet deklarata.

