“Ne kemi siguruar buxhet për 1117 vende të reja pune dhe 600 specialistë privatë, ndërsa me fillimin e vitit të ri do të shpallen konkurset”, tha sot ministri i Shëndetësisë Arben Taravari në konferencën për media, së bashku me zëvendësministrin Jovica Andovski dhe sekretarin shtetëror në ministri, Besim Memedi.
Ai tha se një nga projektet më të mëdha që ka filluar është shkrirja e institucioneve publike nga Kompleksi i klinikave “Nënë Tereza” në një subjekt të ri juridik, Instituti Shëndetësor Publik Qendra Klinike Universitare “Nënë Tereza” Shkup. Ai shtoi se kjo nismë do të sigurojë menaxhim më efikas dhe përmirësim të shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët.
Taravari tha se në të njëjtën kohë, grupi i punës për dixhitalizimin, i përbërë nga ekspertë, në bashkëpunim me Ministrinë e Transformimit Dixhital, punoi intensivisht për zhvillimin e zgjidhjeve konkrete për modernizimin e sistemit shëndetësor. Deri në pranverë, ata presin të kenë rezultate fillestare dhe një drejtim të qartë për dixhitalizimin e ardhshëm.