Shkupi mëngjesin e sotëm është në vendin e dytë në Evropë për nga ndotja e ajrit
Kryeqyteti i vendit, Shkupi, mëngjesin e sotëm është qyteti i dytë më i ndotur në Evropë, sipas të dhënave të platformës për matjen e cilësisë së ajrit “I-Q Air”, transmeton Portalb.mk.
Sot në mëngjes Shkupi është në vendin e 8-të në listë me indeks të ndotjes 183. Sipas platformës, aktualisht ajri në kryeqytet shënohet në kategorinë “ajër jo i shëndetshëm”.
Shkupi është kryeqyteti i 8-të më i ndotur në botë. Foto printscreen IQ Air
Shkupi është kryeqyteti i 8-të më i ndotur në botë. Foto printscreen IQ Air
I pari në listën e qyteteve më të ndotura në botë është Lahore në Pakistan, pasuar nga Delhi në Indi dhe Sarajeva në Bosnje dhe Hercegovinë. Në vendin e 4-të është Dhaka në Bangladesh, e ndjekur nga Vuhani në Kinë. Më pas janë Hanoi në Vietnam dhe Chongqing në Kinë.
Shkupi është në vendin e 8-të. Pas tij është Kalkuta e Indisë dhe Prishtina.
Sipas ekspertëve, vlerat e larta të ndotjes ndikojnë seriozisht në shëndetin e qytetarëve, veçanërisht në muajt e dimrit kur rritet përdorimi i pajisjeve ngrohëse.
Kujtojmë se sipas raportit të UNICEF-it, në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare.
Edhe Instituti i Shëndetit Publik që në fillim të vitit 2024 e publikoi raportin “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë dhe rreziqet ndaj shëndetit”, sipas të cilit pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5.