Ndërtimi i Poliklinikës së Sarajit nuk ka përfunduar dhe deri në
vendosjen e saj në funksion ka ende punë, konfirmon ministri i
Shëndetësisë, Bekim Sali. Konfirmimi i Salit vjen një ditë pasi
zv/kryeministri i parë Artan Grubi u lavdërua në Facebook se ndërtimi
kishte përfunduar kurse ky njoftim i Grubit u përgënjeshtrua nga
bashkëpartiaku i tij, kryetari i Komunës së Sarajit Blerim Bexheti.
Sali shtoi se askujt nuk i takojnë meritat ekskluzive për këtë
poliklinikë, pasi që siç tha, ky projekt po realizohet në bashkëpunim
mes disa institucioneve, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë,
Komunës së Sarajit dhe Shtëpisë së Shëndetit në Shkup.
“Deri më tani poliklinika e Sarajit nuk mund të konsiderohet se është
kryer me ndërtimin, kemi disa vërejtje të vogla te pjesa teknike
makinerike, edhe aty te instalimi do të duhet të intervenojmë, për
pjesën e pajisjes. Dua të cek, opinioni duhet të jetë i informuar se ne
pajisjet kryesisht deri më 80 për qind ministria e Shëndetësisë i ka
siguruar që nga muaji shtator por për shkak të peripecive lidhur me
pjesën ndërtimore ne nuk i kemi instaluar dhe ata presin në depo për t’u
instaluar, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Sali shpreson që kjo poliklinikë të lëshohet në funksionim në fund të
muajit janar.
“Deri tani janë kryer kryesisht punimet ndërtimore, mirëpo në projektin
bazë nuk është paraparë ndërtim i rrethojës dhe rrugës e cila ka qasje
nga pjesa e jashtme e parkut deri në brendinë e poliklinikës të Sarajit,
për këtë arsye është paraparë që të realizojmë edhe një aneks
marrëveshje me realizuesin e punimeve në poliklinikë dhe kjo mbetet që
brenda javës së ardhshme të bëhet, u shpreh Bekim Sali, ministër i
Shëndetësisë./Derveni.mk