Gjykata Supreme ka liruar nga paraburgimi 4 të dënuar në rastin “Monstra”. Kështu ata do të mund të mbrohen nga liria teksa do të zhvillohet rigjykimi, por nga burgu shtëpiak, raporton Televizioni SHENJA.
Agim Ismailoviq, Haki Aziri, do të dalin nga burgu i Idrizovës ku kanë qëndruar nga viti 2012, dhe kanë vuajtur 31 muaj paraburgim, ndërsa Sami Luta do të dalë nga burgu i Shutkës ku ka vuajtur paraburgimin për 4 vjet.
Rasti “Monstra” u kthye në rigjykim disa ditë më parë, pas kërkesës së prokurores Liljana Spasovska. Për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas tek Liqeni i Smillkovës në vitin 2012, me burg të përjetshëm janë dënuar gjashtë qytetarë shqiptarë nga Shkupi. Katër prej tyre vuajnë dënimin me burg të përjetshëm, ndërsa dy janë në arrati.
Familjarët e të dënuarve për rastin “Monstra” thonë që prej të premten kur u morr vendimi për rigjykim, kanë mbetur dyerve të gjykatave e të avokatëve për të marr lajmin e lirimit që pas 5 vjetëve e gjysmë, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Sami Luta dhe Haki Aziri do të dalin nga burgu.
Nga Gjykata Supreme thonë se prej shkallës së tretë lëndën përsëri do ta procedojnë në shkallën e parë tek Gjykata Themelore, pasi që sipas tyre, Penalja u ka shqiptuar masën e paraburgimit, kurse Supremja vetëm se ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë dhe të dytë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim. Rasti “Monstra” më 24 nëntor u kthye në rigjykim nga Gjykata Supreme për shkak të dyshimeve në lidhje me dëshmitë për vrasjen e pesëfishtë të ndodhur afër Liqenit të Smilkovcës më 12 prill të vitit 2012.