Klubi i Intelektualëve të Dërvenit (KID) në ambientet e Shkollës së Mesme në Saraj të Shkupit promovoi veprimtarinë letrare, studimore, kritike letrare dhe publicistike të shkrimtarit dhe studiuesit të letërsisë, Ahmet Selmani, i cili ka qenë gazetar, ndërsa sot punon te Agjencia e Zbatimit të Gjuhës.
Ahmet Selmani ka lindur më 7 mars 1965 në Shkup. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa studimet e larta për letërsi në Universitetin e Prishtinës. Një kohë të gjatë ka punuar si gazetar i kulturës në të përditshmen “Flaka”, pastaj redaktor i kulturës, redaktor i botimeve, komentator dhe, kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës i saj.
Deri tani ka botuar: “Poezia dhe individualiteti” (studim për poezinë), Shkup,1996, “Tregu i djallëzisë” (tregime), Shkup, 1998, “Bashkëbiseduesit e mi” (biseda me shkrimtarë, studiues, gjuhëtarë etj), Tetovë, 2000, “Diskurs kritik” (studime, ese, vështrime), Tetovë, 2004, “Mur i gjallë” (poezi), Tetovë, 2005, “Abeja e akullt” (poezi), Shkup, 2009, “Profili krijues dhe moderniteti i Moikom Zeqos” (ese), Tiranë, 2010, “Hija e kalit” (roman), Shkup, 2010. “Poezia e shprishur” (studim letrar), Shkup, 2012 “Bërja e shkretëtirës” (roman), Shkup, 2014 Përveç krijimtarisë letrare, merret edhe me përkthime.
Selmani pati bashkëbisedim me nxënësit e Shkollës së Mesme të Sarajit, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre dhe duke dhënë porosi që leximi është akt individual, pasi siç tha edhe autori duhet të mburret me atë që lexon dhe jo vetëm me atë se çfarë shkruan.
Studiuesit, konstatuan se vepra e Selmanit është e larmishme nga shumë aspekte, e sidomos në aspektin e zhanrit. Sipas tyre deri më tani ka botuar poezi, përmbledhje tregimesh, proza poetike, romane, skica tregimesh, vështrime socio – politike etj.
Studiuesi i folklorit, Izaim Murtezani u ndal tek vepra letrare me titull “Hija e kalit”, e cila sipas tij ngërthen në vetvete dy motërzime apo variante me strukturë të ndryshme kompozicionale, por që përbashkohen mes tyre përmes figurës së kalit, i cili është shkaktar i dy tragjedive të përmasave familjare, por edhe më gjerë. “Ajo që e bën të veçantë tekstin letrar “Hija e kalit”, veçmas variantin e parë të tij, është intertekstualiteti si një element tejet i rëndësishëm i artit postmodern. Në të vërtetë, sipas farkueses së parë të këtij nocioni, Juli Kristeva, intertekstualiteti nënkupton të dhënën se veprat letrare paraqesin rezultat apo prodhim të veprave tanimë të lexuara dhe se në tekstin e ri, autori bën një lloj rishkrimi të veprave paraprake, duke e shtuar edhe një pjesë të veten”, tha Murtezani.
Isamet Bakiu, kryetar i organizatës joqeveritare Klubi i Intelektualëve të Dërvenit (KID) foli mbi veprën Poezia e shprishur. “Duke sqaruar togfjalëshin gjaku i shprishur jep shpjegim për domethënien që kanë arbëreshët kur e përdorin atë. Ai jep një përshkrim historik edhe të eksodit arbresh nga trojet e tyre në këtë anë të detit për në Kalabri dhe Sicili ku shtrihen katundet e bukura të gjakut të shprishur. Poashtu, brenda studimit në fjalë ndalet edhe në strukturën tipologjike dhe kompozicionale, me çka na shpie drejt statusit konceptual të poezisë, metafizikës krijuese, karakterit diskursiv, ndikimit popullor, mozaikut figurativ, identitetit gjuhësor, subjektivitetit lirik, aventurës eksperimentale etj”, tha Bakiu.
Me tej ai theksoi se Selmani mënyrë të përkryer shkruan për mërgimin, mallin, vetminë, por edhe për dashurinë dhe legjendat e thesarit të pasur arbëror që lufton me mish e me shpirt të mbijetojë në dhe të huaj. “Kjo më së miri spjegohet përmes poezisë së autorëve arbëresh duke përzgjedhur poezitë me vëmendje dhe duke shtruar rrjedhshëm me gjuhë të kulluar kritikën letrare mbi to. Besoj se arbëreshët i bën krenar kjo vepër, por kjo vepër është edhe kartelë e identiteti dhe shpirtit për arbëreshët në botën e shkencës dhe të letërsisë. Përmes kësaj vepre mësohet shumë për historinë, kulturën dhe veçantinë e arbëreshëve si një komunitet i mërguar”, nënvizoi Bakiu.
Ndërsa studiuesi Suhejb Mustafa u shpreh se shkrimtari dhe studiuesi Selmani i përgjigjet frymës së letërsisë bashkëkohore, ku nëpërmjet saj synon ta vë të bukurën si parësore për letërsinë. “Natyrisht nuk e lë anash edhe mundësinë magjike që ta jep letërsia për ta thënë të vërtetën. Këtë ai e thotë me mjeshtëri duke ia mveshur edhe të bukurën asaj. Ai në vete bart tamam shpirtin e një poeti, i cili shpërthen ndaj padrejtësisë, ndaj dhimbjes, ndaj tradhtisë, së keqes, e të mirën e ngre lart në qiell duke e stolisur me fjalë hyjnore. Ngjashëm si Kadareja, por edhe i ndikuar nga ai, Selmanin e mundon fati i popullit shqiptar. Kjo përbën edhe tematikën më të prekur nga ai. Ai mundohet që ta vë në pah mentalitetin dhe psikologjinë e këtij populli, fatin historik të tij, periudhat fatkeqe që ka kaluar, por edhe karakterin e tij. Gjithashtu njëra ndër temat që i tangon më së shumti letërsisë ahmetiane është tema sociale”, tha Mustafa.
Të pranishmit i përshëndetën edhe studiuesit Ali Pajaziti dhe Sefer Tahiri, duke u bërë thirrje nxënësve që të lexojnë vepra të ndryshme, qoftë letrare dhe shkencore, ndërsa u hap diskutimi lidhur me të ardhmen e librit në kontekst të zhvillimit të teknologjisë bashkëkohore informatike, kur bibliotekat fizike zëvendësohen me ato onlajn./Derveni.mk