More

    KUR FËMIJËT LINDIN FËMIJË! Martesat nën moshën 18-vjeç, rastet në Maqedoni dhe Kosovë

    Në Maqedoninë e Veriut, në vitin 2020 janë regjistruar 16 lindje nga nëna nën 15 vjeç, ndërsa vitin e kaluar 19. Nga nëna nën 18-vjeç kanë lindur 540 foshnja në 2020, ndërsa 555 foshnje janë regjistruar vitin e kaluar. Situatë e njëjtë pothuajse është edhe në Kosovë – vetëm gjatë vitit 2020, janë regjistruar 65 lindje të foshnjave nga nënat nën moshën 18-vjeçare. Një vit më vonë, konkretisht në periudhën janar-shtator 2021, kanë lindur 36 foshnja. Psikologët ngrenë alarmin se pasojat nga martesat e hershme mund të jenë të shumta

    Vedat MEMEDALIU dhe Fisnik KRASNIQI

    Shkup-Prishtinë, mars 2022 – Mungesa e edukimit, varfëria, mentaliteti… supozohen të jenë shtytësit kryesorë që i detyrojnë të miturat që të hyjnë në martesë që në moshë të vogël. Pavarësisht se trendi i këtyre martesave ka një rënie të lehtë, në Maqedoninë e Veriut shifrat mbeten shqetësuese për këtë grupmoshë që përbën gati 10 për qind të numrit të përgjithshëm të kurorëzimeve që bëhen gjatë një viti. Vetëm vitin e kaluar numri i martesave nën 18 vjeç ishte 143, shifër kjo që është më e ulët sesa vitet e tjera, por korrespondon me uljen e numrit të përgjithshëm të kurorëzimeve (nga 13.814 në 2020, në 10.278 në 2021). Nga ana tjetër, numri i fëmijëve të lindura nga nëna të mitura është në rritje, pavarësisht trendit negativ të lindjeve në vend. Fëmijët e lindur nga të miturat përbëjnë gati dhjetë për qind të numrit të përgjithshëm të foshnjave.

    Në vitin 2020 janë regjistruar 16 lindje nga nëna nën 15 vjeç, ndërsa vitin e kaluar 19. Nga nëna nën 18-vjeç kanë lindur 540 foshnja në 2020, ndërsa 555 foshnje janë regjistruar vitin e kaluar. Për të parë ecurinë e fenomenit Enti Shtetëror i Statistikave ka publikuar një hulumtim klasterik multiindikator me gra të martuara (20-24 vjeç) prej të cilave 8 për qind janë martuar përpara se të mbushin 18 vjeç, ndërsa 1 për qind prej tyre kanë qenë më të vogla se 15 vjeç. Një tjetër grupmoshë (20-49) ka një përqindje më të lartë të grave të martuara për herë të parë nën moshën 18 vjeç (10 për qind), që tregon se fenomeni i martesave tek të miturat me kalimin e viteve ka pësuar një rënie.

    “Rezultatet tregojnë se përqindja e grave të martuara nën moshën 18 vjeç që kanë ndjekur studimet e larta është e vogël (vetëm një për qind), ndërsa 25 për qind e grave të kuintalit më të varfër janë martuar në moshë të mitur, në krahasim me vetëm 2 për qind nga kuintali më i pasur”, konstatohet nga ESHS. Rezultateve për gratë e martuara nën 15 dhe 18 vjeç tek grupmoshat e ndryshme mundësojnë që të vërehen trendet e martesave të të miturve në vite. Këto trende tregojnë një rënie të qëndrueshme, ndërsa kohëve të fundit duket se progresi ka stagnuar, shtohet më tej në hulumtim.

    “Martesa nën moshën 18 vjeç është një realitet për vajza shumë të reja. Në shumë pjesë të botës, prindërit inkurajojnë vajzat e tyre që martohen sa janë ende fëmijë, me shpresë se martesa do t’i sjellë si përfitime financiare, ashtu edhe sociale dhe në të njëjtën kohë do lehtësojë barrën financiare në familje. Në fakt, bëhet fjalë për një martesë të mitur që përbën shkelje të të drejtave të njeriut, cenon zhvillimin e vajzave dhe shpesh rezulton në shtatzëni të hershme dhe izolimi social, arsimim i pamjaftueshëm dhe aftësim i dobët profesional fuqizimi, me çka konsolidohet natyra gjinore e varfërisë”, thuhet në hulumtimin e ESHS në bashkëpunim me UNICEF.

     

    PASOJAT NGA MARTESAT NË MOSHË TË VOGËL

    Nga prizmi sociologjik, psikologët thonë se pasojat nga martesat e hershme mund të jenë të shumta. “Në martesat e hershme ekziston raporti se çiftet ende janë të papjekur psikologjikisht, ka divorce të shumta, dhuna shpeshherë është më e lartë si në aspektin fizik e po ashtu edhe atë psikologjik, gruaja kryesisht varet nga të ardhurat e burrit apo familjes së burrit, shtatzëni e hershme dhe e padëshiruar, problemet me shtatzëni ku kjo madje mund të rezultojë edhe me vdekjen e fëmijës apo edhe të nënës, sepse në konstruktin biologjik – trupi i një të miture ende nuk është i përgatitur për të lindur fëmijë…”, thotë psikologia Luljeta Demolli, ndërsa shton se pasojat janë edhe të tjera si të sëmundjeve të transmetuara seksualisht, depresion, vuajtje, ankthe, fobi, hermetizëm social e psikologjik, krizë të personalitetit – personalitet jo stabil, çrregullim psikik… e deri tek vetëvrasja që mund jetë fatale si rezultat i kërcënimeve të vazhdueshme, mos përkrahjes së familjes etj.

    “Ky fenomen, për fat të keq, ende vazhdon të jetë prezent në shoqërinë tonë dhe si i tillë paraqet jo vetëm një diskriminim të femrës, por edhe një hermetizëm social, pengim të të rinjve për të zgjedhur fatin e tyre, si dhe në aspektin juridik është i kundërligjshëm, gjë që sanksionohet edhe me ligj. Kurse, sa i përket parandalimit të këtij fenomeni, konsiderojmë do të duhej që të ketë një vetëdijesim të përgjithshëm mbi këtë fenomen; të ketë programe adekuate nëpër shkolla, të ketë seminare apo konferenca për këtë fenomen; të ketë një komunikim më të shëndosh në familje; të ketë një bashkëpunim më të theksuar në mes të prindërve dhe institucioneve tjera; të ketë më shumë programe mbi të fenomen në mediat nacionale; dhe, t’i kushtohet një rëndësi e veçantë këtij fenomeni (të konsultohen psikologët, sociologët) etj”, thotë Demolli.

     

    BRENDA NJË VITI, 80 MARTESA NËN MOSHËN 18-VJEÇ

    Edhe në Kosovë, shqetësues është numri i vajzave nën moshën 18-vjeç që futen në ujërat e martesës dhe që menjëherë bëhen nëna. Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën Gjinekologjike, vetëm gjatë vitit 2020, janë regjistruar 65 lindje të foshnjave nga nënat nën moshën 18-vjeçare. Të dhënat e QKUK-së bëjnë të ditur në 2020, kanë lindur 9985 foshnja, prej të cilave 85 nga nënat e moshës jo madhore. Ndërkaq, gjatë vitit të kaluar, konkretisht në periudhën janar-shtator 2021, kanë lindur 7176 foshnja, 36 prej të cilëve janë foshnja nga nënat e moshës jo madhore. Qendra Kosovare për Studime Gjinore raporton se brenda vitit, në Kosovë ndodhin rreth 80 martesa të parakohshme, që nënkupton martesat e personave nën moshën 16- vjeçare.

    “Martesat e hershme në Kosovë janë të ndaluara me ligj, por ka një nen në Ligjin për martesën që me pëlqim të prindit ose kujdestarit ia jep të drejtën, lejohet një martesë në mbikëqyrje të shtetit. Por, kjo është keqpërdorur shumë në Kosovë dhe janë rreth 80 martesa që ndodhin brenda vitit nën moshën 16 -vjeçare, ku Kosova hyn në vendet ku nuk respektohet ligji. Martesat e hershme ndodhin më shumë në komunitetet rom, ashkali e egjiptian, por nuk përjashtohen edhe komunitetet tjera”, thuhet në Raportin e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore.

    Pasojat e martesave të hershme, siç thuhet në këtë Raport, janë të mëdha. “Pasojat janë të mëdha duke sjellë rrezikshmëri të lartë në shëndet, lindje të fëmijëve në moshë të re, braktisje të shkollimit dhe punësimi pothuajse nuk ndodh asnjëherë te këto gra”. Marrë parasysh trendin e martesave të hershme të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian, organizata “The Ideas Partnership” ka bërë një hulumtim në një vendbanim në Fushë Kosovë ku jetojnë këto komunitete. Si rezultat i hulumtimit, del se nga rreth 500 persona të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian të Fushë Kosovës, 53.57% e tyre martohen nën moshën 18-vjeçare. Ndërsa, 99% e tyre ndërpresin shkollimin pasi të martohen. Sipas hulumtimit nga kjo organizatë, janë vajzat ato të cilat martohen nën moshën 18- vjeçare, pra 65% e të anketuarve. Shumica prej tyre martohen me dëshirë, por ka edhe prej tyre që detyrohen të martohen nga prindërit.

    Ndërkaq, sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, një vajzë nën 15 vjet, është pesë herë më shumë në rrezik të vdesë gjatë shtatzënisë apo lindjes, se sa një grua në të 20-at. Kur një nënë është nën 18 vjet, shansi që foshnja e saj të vdesë gjatë vitit të parë është 60 për qind më e lartë sesa nëse foshnja lind nga një nënë mbi 19 vjeçe. Edhe Raportet e organizatës ndërkombëtare për fëmijë “Save the Children”, tregojnë se nëse shikohet nga aspekti global, çdo 7 sekonda martohet një vajzë nën moshën 15-vjeçare. Madje, studimet e kësaj organizate nxjerrin në pah se ka edhe vajza 10-vjeçare që detyrohen të martohen me burra shumë më të vjetër në vendet si Afganistani, Jemeni, India dhe Somalia.

     

    REKOMANDIME NGA UNICEF-i

    UNICEF-i dy vjet më parë ka dalë me rekomandime konkrete drejtuar institucioneve për parandalimin e martesave nën moshën madhore, konkretisht martesave nën moshën 16-vjeç. Rekomandimet në fjalë janë të njëjtë për pothuajse të gjitha shtetet e Ballkanit, përfshirë këtu edhe Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Shkeljet në martesat e hershme të theksuara në Kodin Penal, thuhet në rekomandimin e parë të UNICEF-it, është ndjekja penale “ex officio” (automatikisht) dhe  shlyerja e “traditës” si arsyetim per justifikimin e mosarritjes së implementimit të kornizës ligjore ekzistuese. “Revidimet e Ligjit Familjar duhet të qartësojnë: nëse fëmijët pas martesës kalojnë në adultë apo mbesin ende fëmijë; roli dhe mandati i Trupit Kujdestar në raport me martesat e hershme; si dhe procedurat ligjore dhe administrative përmes të cilave merret vendimi për lejimin e martesës së një fëmije. Me këtë rast duhen marrë parasysh pengesat në qasjen për shërbimet e shëndetit riprodhues. Formimi i një mekanizmi multi-sektorial dhe involvimit të vendim-marrësve relevant do të siguronte mbrojtjen e të drejtave të minorenëve në martesat e hershme. Përmes këtij mekanizmi do të mundësohej vazhdimi i shkollimit të burrit dhe gruas duke ofruar këshilla rreth raporteve në martesë, të drejtat në pronësi dhe të drejtat e shëndetit riprodhues”, thuhet më tej në rekomandimet e UNICEF-it.

    Ngritja e vetëdijes për të drejtat dhe opsionet për largimin nga marrëdhëniet violente shtëpiake, sipas UNICEF-it. duhet të ketë cak shoqërinë në kuptim të parandalimit të dhunës në shtëpi dhe në veçanti informata për ndihmë tu ofrohet të mbijetuarve nga dhuna. “Ministritë e Arsimit duhet të krijojnë procedura për sigurimin e vijimit të shkollimit të obliguar fillor dhe atij të mesëm të ulët. Kjo përfshin krijimin e procedurave të tilla mes vendim-marrësve relevant për monitorimin dhe raportimin e rasteve të braktisjes së mësimit, si atij të mundshëm ashtu dhe atij të vërtetë. Ndihmat sociale specifike për arsimim (p.sh transporti, veshmbathjet, librat) mund të redukojnë braktisjen e shkollës, të inkurajojnë ndjekjen e mësimit nga ana e të varfërve dhe të ndihmojnë në parandalimin e martesës në fëmijëri sidomos në mesin e Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”.

    UNICEF-i kërkon koordinim në mes të institucioneve (policia, shkolla dhe qendrat për punë sociale) të specifikuar që përmes memorandumeve të mirëkuptimit, të sqarojnë mandatin e tyre dhe çështjen e monitorimit dhe përgjegjësive referuese që kanë të bëjnë me martesat e hershme. “Në pajtim me ligjin, MASH gjithashtu duhet të përfshijë tema të caktuara në kurrikulën e shkollës të cilat do të japin informata të detajuara për shëndetin riprodhues, duke përfshirë kontracepcionin, planifikimin familjar dhe të drejtat riprodhuese. OJQ-të duhet të vazhdojnë me dhënien e informatave përmes mediave dhe fokusi të jetë tek të rinjtë në komunitete ku dyshohet se martesat e hershme janë më të përhapura. Televizioni mund të jetë efektiv për komunikimin e informatave rreth të drejtave të grave dhe vajzave të cilat nuk kanë qasje në informata”, thuhet në disa nga rekomandimet e UNICEF-it.

     

    MARTESAT NË MOSHË TË VOGËL RREZIKOJNË DIVORCIN

    Sipas një studimi të realizuar nga realizuar nga revista “Time”, femrat që presin deri në moshën 26-vjeçare për t’u martuar kanë mundësi më të madhe për një martesë jetëgjatë. Sipas të dhënave të Regjistrit të Punës, numri më i madh i divorceve ekziston mes femrave që janë martuar rreth moshës 15-20 vjeç. Ndërkohë që të dhënat janë analizuar nga sociologu i Universitetit të Maryland, Philip Cohen, ai shprehet se mesatarisht këto martesa që quhen edhe si “martesat e fillimit” zgjasin nga një deri në 10 vjet. Një tjetër studim i 2018 thoshte se mosha ideale për njerëzit që të kenë një martesë të gjatë dhe të suksesshme është mes 28-32 vjeç. “Times” ka bërë këtë studim mbi martesat nisur nga një tjetër studim ku kishte hulumtuar se si ka ndryshuar tashmë martesa si institucion dhe sa janë shanset tashmë për një martesë të qëndrueshme.

    VITI 2020 – FOSHNJAT NGA MARTESAT JOMADHORE NË MAQEDONINË E VERIUT

    Numri i foshnjave nga nëna nën 15 vjeç: 16 foshnje

    Numri i foshnjave nga nëna nën 18 vjeç: 540 foshnje

    VITI 2021 – FOSHNJAT NGA MARTESAT JOMADHORE NË MAQEDONINË E VERIUT

    Numri i foshnjave nga nëna nën 15 vjeç: 19 foshnje

    Numri i foshnjave nga nëna nën 18 vjeç: 555 foshnje

     

    (Projekti rajonal “PËRBALLJE: Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi” zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian nga organizatat partnere SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevo, Kosovo 2.0, Instituti Malazez i Medias, Instituti Maqedonas për Median, Shkolla e Gazetarisë e Novi Sad, Instituti i Paqes dhe Bianet. Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e autorëve dhe jo domosdoshmërisht pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Europian)

     

    - Marketing -Ajsel Medica
    - Marketing -Bujar Osmanii
    - Marketing -Bujar Osmanii

    TË NGJAJSHMEARTIKUJ
    Rekomanduar për ju

    - Marketing -Bujar Osmanii
    spot_img

    Të fundit

    Osmani nga Saraji: Kemi institucionalizuar dinjitetin e popullit tonë, por misioni ende nuk ka mbaruar

    Forumi i Gruas dhe Forumi Rinor i BDI-së, dega Saraj, kanë organizuar debat të hapur me kandidatin për President,...

    Osmani: Qeveria do të vendosë nëse vendi ynë do të dalë nga “Ballkani i Hapur

    Osmani tha se si ministër i një vendi anëtar në NATO, ka informacione shtesë për sulmin në Banjskë të...

    Në Shkup sanksionohen 153 shoferë, 13 pa patent shoferi

    Sektori i Punëve të Brendshme Shkup gjatë ditës së djeshme në territorin e Qytetit të Shkupit ka shqiptuar gjithsej...

    Kapet njëri nga të dyshuarit për vjedhjen si në filma të kasafortës në Shkup, mësohet shuma e parave që vodhën hajnat

    Nga Prokuroria Themelore Publike njoftojnë se autoritetet kanë zbuluar njërin prej personave të dyshuar për vjedhjen e kasafortës në...