Në seancën e Kuvendit të Malit të Zi, më 28 prill në Cetinje, u votua Qeveria e pakicës e kryeministrit Dritan Abazoviq, me çka përfundoi mandati teknik tremujor i Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, të cilit iu votua mosbesimi më 4 shkurt.
Shumica e re parlamentare, e cila votoi për Qeverinë, më herët zgjodhi Danijela Gjuroviqin për kryetare të Parlamentit, e cila zhbllokoi punën e legjislativit pas gati tre muajsh.
Për zgjedhjen e Qeverisë votuan 45 deputetë nga gjithsej 81 sa janë në Parlamentin malazias, ndërsa 3 përfaqësues të socialdemokratëve ishin kundër.
Për kabinetin e Abazoviqit votuan 16 deputetë të partive që përbëjnë Qeverinë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, si dhe 29 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, i cili nuk ka përfaqësues në Qeveri.